Added: Jun 12, 2008
From: CHANNELShpendi
Duration: 9:32
Gjatë viteve 70 të shek. XIX u duk qartë se politika 40-vjeçare tanzimatiste e qarqeve sunduese osmane nuk arriti të ndalte procesin e shthurjes së mëtejshme të perandorisë së sulltanëve. Plogështia e strukturës shtetërore, arbitrariteti i hallkave administrative dhe korrupsioni i aparatit burokratik, që Perandoria Osmane kishte trashëguar nga sistemi i mëparshëm feudal-ushtarak, u shtuan më shumë. Në vitet 70 ekonomia e saj ndodhej në një amulli të përgjithshme. Gjatë dy dekadave të fundit vërshimi i mallrave të industrisë evropiane ishte trefishuar. Më 1875 niveli i eksportit përfaqësonte çerekun e importit. Kriza e saj financiare ishte acaruar në kulm. Porta e Lartë ishte e detyruar të merrte çdo vit nga jashtë borxhe të reja, pasi me të ardhurat buxhetore nuk përballonte dot as gjysmën e shpenzimeve të veta. Më 1875 të ardhurat ishin 800 milionë franga ari, kurse borxhet e saj të jashtme kapnin 5,3 miliardë franga ari. Perandoria Osmane nuk ishte në gjendje të shlyente jo vetëm këstet e kredive, por as kamatën e tyre të përvitshme. Me gjithë përpjekjet e tyre gjysmëshekullore, qarqet sunduese osmane nuk i siguruan dot Perandorisë së tyre as qetësinë e brendshme politike. Kryengritjet e masave popullore kundër shtypjes feudale dhe ato të kombësive joturke kundër zgjedhës osmane, vazhduan të shpërthenin në të katër anët e Perandorisë. Për më tepër, tani kishte dalë në skenë, si forcë e re kundërshtare, edhe lëvizja liberale demokratike turke, e përfaqësuar nga organizata e "Osmanëve të Rinj", e cila synonte të zhdukte despotizmin feudal teokratik të sulltanëve. Edhe gjendja ndërkombëtare po zhvillohej në dëm të saj. Gjatë viteve 70 kishte dalë në skenë Perandoria Gjermane, e cila kishte filluar të trondiste pozitat ndërkombëtare të dy perandorive koloniale, të Anglisë dhe të Francës. Disfata që pësoi Franca nga Prusia (1871), i dha rast Rusisë cariste të hidhte poshtë nenet e Traktatit të Parisit (1856), që e pengonin të armatosej në Detin e Zi kundër Perandorisë Osmane. Po ashtu, Austro-Hungaria, pas disfatës që kishte pësuar politika e zgjerimit të saj në Gjermani e në Itali, kishte filluar të aktivizohej në drejtim të Gadishullit Ballkanik dhe të detit Egje. Gjatë kësaj kohe edhe Italia, e cila kishte përfunduar bashkimin e saj politik dhe kishte hyrë në radhët e Fuqive të Mëdha, ndonëse ishte ende e dobët, aspironte të vinte një këmbë në bregdetin lindor të Adriatikut. Si pasojë e këtyre ndryshimeve, përballë Anglisë e Francës, të cilat përpiqeshin si edhe më parë ta mbanin në këmbë Perandorinë Osmane, tani, gjatë viteve 70, qëndronin dy fuqi të tjera të mëdha që dëshironin shembjen e saj të shpejtë - Rusia cariste dhe Austro-Hungaria. Për të vënë në jetë planin e saj ekspansionist, Rusia filloi të nxiste popullsitë e shtypura të Turqisë Evropiane për kryengritje kundër Portës së Lartë dhe sidomos shtetet sllave ballkanike për luftë kundër Perandorisë Osmane. Për këtë qëllim ajo doli me flamurin e "pansllavizmit", i cili në të vërtetë çonte në nënshtrimin e kombësive sllave dhe josllave ndaj politikës cariste. Në këto rrethana shpërtheu në korrik të vitit 1875 kryengritja çlirimtare kundërosmane në Hercegovinë. Muajin tjetër ajo u shtri në Bosnjë. Në kryengritjet e të dy vendeve morën pjesë vetëm popullsitë sllave të krishtere. Banorët sllavë myslimanë, të cilët në Bosnjë përfaqësonin shumicën e popullsisë, qëndruan jashtë kryengritjes, madje pjesërisht anuan kundër saj. Me gjithë ndihmën që patën nga Serbia e Mali i Zi, kryengritësit nuk i bënë dot ballë kundërveprimit ushtarak osman. Në vjeshtë e në dimër, hovi i kryengritjeve ra, por në pranverën e vitit 1876 ato u gjallëruan përsëri. Për më tepër, në prill 1876 shpërtheu kryengritja çlirimtare në Bullgari. Megjithatë Porta e Lartë mundi përsëri t'i shtypte kryengritjet bullgare, boshnjake dhe hercegovinase. Sapo shpërtheu kryengritja në Hercegovinë e në Bosnjë, Serbia e Mali i Zi u përpoqën ta shtrinin zjarrin e saj edhe në popullsitë e tjera të shtypura të Turqisë Evropiane. Ato i nxitën për kryengritje kundërosmane edhe shqiptarët, por këta nuk lëvizën, sepse panë që Beogradi dhe Cetina kishin qëllime aneksioniste ndaj trojeve të tyre. Në qershor 1876, kur u pa se plani i shpërthimit të kryengritjes së përgjithshme të popujve të shtypur të Ballkanit kishte dështuar, Beogradi e Cetina kaluan në aksion të hapur. Serbia më 30 qershor dhe Mali i Zi më 1 korrik 1876 i shpallën luftë Perandorisë Osmane. Serbia e Mali i Zi patën përkrahjen e Perandorisë Ruse, e cila u dërgoi armatimet e nevojshme dhe, së bashku me to, edhe 30 mijë "vullnetarë" rusë për të luftuar për çlirimin e "vëllezërve" sllavë nga zgjedha osmane. Por lufta e dy monarkive ballkanike kundër Turqisë krijoi një situatë tepër të ndërlikuar në arenën ndërkombëtare. Cilido që të ishte përfundimi i saj, ajo do të tërhiqte ndërhyrjen e Fuqive të Mëdha për të rregulluar, secila sipas interesave të vetë, hartën politike të Evropës Juglindore. Vazhdon ne Videon/2
Channel: Nonprofit
Tags: adem adrian albin clirimtare demaci demokraci florin jashari kosova krasniqi kurti lir liri reçak uck vetevendosje
Rating: 5.00 (9 ratings) Views: 636' favoriteCount='2 Comments: 0
